Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar datën 12 tetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në Republikën e Kosovës.

“Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Caktimi i kësaj date, sipas Presidencës, synon që të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe institucionet e tjera relevante, “me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor”.

Osmani u ka bërë thirrje subjekteve politike, organizatave dhe shoqërisë civile që t’i qasen “me përgjegjësi të plotë në funksion të garantimit të një procesi gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë”.