Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës ka njoftuar se Mrika dhe Arianit Nikçi janë bërë zyrtarisht pjesë e Librit të Rekordeve, “Guinness”, si babë e bijë që më së shpejti në histori kanë ngjitur shtatë majat më të larta të shtatë kontinenteve të botës, të njohura si “Seven Summits”.

Sipas kësaj federate, ata realizuan këtë sfidë prej 25 janarit 2018 deri më 15 gusht të vitit 2019.

“Ky vlerësim botëror konfirmon arritjen e jashtëzakonshme të dy alpinistëve shqiptarë, të cilët brenda vetëm kësaj periudhe kohore ngjitën majat më të larta të çdo kontinenti: Everest, Aconcagua, Denali, Kilimanjaro, Elbrus, Carstensz Pyramid dhe Vinson Massif”.

“Ky është një moment historik për Kosovën dhe shqiptarët, pasi për herë të parë emri i vendit tonë vendoset në Librin e Rekordeve Guinness për një arritje të këtij niveli në sportin ekstrem të alpinizmit. Ky rekord është një dëshmi e fuqishme e potencialit dhe vlerave që populli shqiptar përfaqëson në botë”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, federata tha se për shqiptarët, ky sukses është një burim krenarie dhe frymëzimi, duke treguar se asnjë ëndërr nuk është e paarttishme kur mbështetet me vullnet dhe përkushtim.

“Mrika Nikçi u bë gjithashtu femra më e re në botë që ngjiti këto maja, ndërsa Arianit Nikçi udhëhoqi këtë rrugëtim si alpinist dhe prind i përkushtuar. Së bashku, ata kanë dëshmuar se ëndrrat bëhen realitet përmes guximit, disiplinës, përkrahjes familjare dhe dashurisë për natyrën”, thuhet në njoftim.