Saktësisht 84 ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 Shkurtit do të mbahet vazhdimi i dhjetë i seancës konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit. Vonesat në funksionalizimin e këtij organi ligjvënës, në vlerësimin e monitoruesve, po vejnë në rrezik qindra miliona euro nga marrëveshjet ndërkombëtare. Ndërsa, pozicionet e partive mbesin të pandryshuara. 

Mëngjesin e së shtunës, të zgjedhurit e popullit në Kuvendin e Kosovës do të mblidhen për të dhjetën herë në përpjekje për të konstituuar legjislaturën e re.

Vazhdimi i nëntë i seancës që nisi më 15 prill vjen pas ndërprerjes, si pasojë e dështimit për të ndërruar formën e votimit – nga i hapur në të fshehtë – për zgjedhjen e krye-parlamentarit.

Pozicionet e partive politike mbesin të pandryshuara një ditë para vazhdimit të seancës.

Partia e dytë dhe ajo e treta për kah numri i deputetëve, akuzojnë të parën për shkelje të rregullave e procedurave në mungesë numrash.

“Nuk mund që me arbitraritet të theksuar një subjekt politik të provojë të instalojë diktat, e para të imponojë një kandidat që nuk merr besimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, e dyta të shkel procedurat, një proces që ka filluar tash e sa kohë, që është votimi për të zgjedhur kryekuvendarin”, ka thënë Blerta Deliu-Kodra, Deputete e PDK-së.

Kurse, Armend Zemaj, Deputet i LDK-së ka thënë se Vetevendosje po abuzon pozitën që i ka dhënë rregullorja e punës së kuvendit.

“Është abuzim me pozitën që i ka dhënë rregullorja e punës së kuvendit. Kjo sjellje është e papranueshme dhe në fund të fundit edhe denigrim edhe i personalitetit të individit. Por, edhe strategji abuzive që po e përdorë Lëvizja Vetëvendosje për të parandaluar ose për të bllokuar krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës”,

Dështimi i të zgjedhurve për të funksionalizuar Kuvendin, gati tre muaj nga zgjedhjet, sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike është duke rrezikuar më shumë se 882 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së dhe miliona të tjerë nga marrëveshjet tjera ndërkombëtare.

“Situata rëndohet edhe më shumë duke marrë parasysh se, në rast mos-ratifikimi deri në qershor që përbën afatin e dytë të zbatimit të reformave ekziston rreziku real i kthimit në pikën zero sa i përket negocimit të marrëveshjes. Kjo mund të përkthehet në vonesa në ekzekutimin e fondeve, si dhe potencialisht në rishpërndarje të fondeve”, ka thënë Besar Gegi, Hulumtues në GLPS.

Në asnjërën nga përpjekjet e përsëritura, e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk mori më shumë se 57 vota nga së paku 61 vota të kërkuara.

Seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk është mbyll as të enjten. Ndryshe prej seancave paraprake, gjatë saj LVV-ja nuk e ka propozuar direkt Haxhiun për kryeparlamentare, por nëpërmjet kryesuesit të seancës ka kërkuar që votimi për të të bëhet në mënyrë të fshehtë.

Partitë deri tash në opozitë nuk e kanë pranuar këtë opsion, duke bërë që të mos i marrë votat e mjaftueshme Komisioni për mbikëqyrje të kësaj procedure.

E pas përmbylljes së seancës të së enjtes, propozimi i LVV-së për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë është vlerësuar antikushtetues nga përfaqësues të partive që në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë. Ata, gjatë adresimeve nga holli i Kuvendit, e kanë quajtur arbitrare mënyrën se si kjo parti ka synuar që ta vërë në aplikim këtë formë votimi.

Zhbllokimit të situatës nuk i ka shërbyer as takimi konsultativ, i cili është mbajtur para seancës mes liderit të LVV-së, Kurti, dhe atij të PDK-së, Memli Krasniqi.

Në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) nuk kanë dhënë sinjale se do ta ndryshojnë emrin e kandidatit, përderisa në vazhdimin e nëntë të seancës të mërkurës, kjo parti ka propozuar ndryshimin e mënyrës së votimit – nga i hapur në të mbyllur.

Por ky propozim është kundërshtuar nga partitë që në legjislaturën e fundit kanë qenë në opozitë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili të premten ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e 26-vjetorit të masakrës në Studime të Vushtrrisë, nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve përkitazi me veprimet e ndërmarra në funksion të konstituimit të legjislaturës së re.

Vazhdimi i radhës i seancës konstituive do të mbahet më 3 maj, në orën 10:00. Deri tash, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryekuvendare ka dështuar në gjashtë votime.