Memli Krasniqi i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit: Vendi ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kurti ka ftuar për takim Krasniqin dhe kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, për një takim konsultimi rreth situatës në Kuvendin e Kosovës.
Krasniqi ka thënë se mbi këtë frymë inkurajon Kurtin që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja.
“Sot kam pranuar një letër nga Kryetari i koalicionit Vetëvendosje-Guxo-Alternativa, z. Albin Kurti, me ftesë për një takim para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që mbahet nesër. Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim”.