Në një postim të fundit, Remzi Ejupi, ish-president i FC Prishtinës dhe një figurë e njohur në futbollin kosovar, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me shpërndarjen e 50 biletave që Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka marrë nga UEFA për finalen e Champions League.
Ai pyet: *”Ku janë këto bileta?”* Dhe më tej: *”Kush po i përfaqëson qytetarët e Kosovës në këtë ngjarje madhore të futbollit evropian?”* Ejupi kërkon transparencë nga FFK, duke theksuar se futbolli nuk është pronë private, por u përket atyre që e zhvillojnë, e ndjekin dhe e duan – jo atyre që e shfrytëzojnë për interesa të ngushta.

Këto shqetësime vijnë në një kohë kur çmimet e biletave për finalen e Champions League kanë arritur nivele rekord, duke filluar nga 180 euro deri në 960 euro për vendet më të mira, ndërsa në tregun e zi ato mund të arrijnë deri në 7,000 euro.

Postimi i plotë i Remzi Ejupit:

UEFA ndan çdo vit një numër të kufizuar biletash për federatat kombëtare për finalen e Champions League. Edhe këtë vit, Federata e Futbollit të Kosovës ka marrë 50 bileta.

Por pyetja që shtrohet është e thjeshtë: Ku janë këto bileta?

Kush po i përfaqëson qytetarët e Kosovës në këtë ngjarje madhore të futbollit evropian? A ekziston një listë zyrtare, apo gjithçka është ndarë në heshtje, siç ndodh zakonisht?

Kemi parë më parë që këto bileta shpërndahen pa asnjë njoftim publik, ndërsa në treg të zi çmimi i tyre ka arritur deri në 7,000 euro. Kjo vetëm sa i forcon dyshimet se një pjesë e tyre janë përdorur për përfitime personale apo shitje të fshehta.

Nuk po kërkoj asgjë më shumë se transparencë. Federata duhet të tregojë si i menaxhon këto bileta, kë përzgjedh dhe me çfarë kriteresh.

Futbolli nuk është pronë private. Ai u përket atyre që e zhvillojnë, e ndjekin dhe e duan, dhe jo atyre që e shfrytëzojnë për interesa të ngushta.

Nëse nuk ka asgjë për të fshehur, nuk ka asnjë arsye për të heshtur.