Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Z.R., duke e dënuar me 2 vjet burgim dhe marrje të lejes së vozitjes, për akuzën se shkaktoi aksident më 17 mars 2024 në Skivjan të Gjakovës, si pasojë e të cilit vdiq B.D.
Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se aktgjykimi u shpall nga gjykatësi Driton Sadiku, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Gjyqtari i vetëm gjykues, Driton Sadiku, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësorë, të pandehurin e shpalli fajtorë dhe i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje 2 vjet dhe dënim plotësues ashtu që të akuzuarit i merret leja e vozitjes e kategorisë “B1/B/M/L/T”, si dhe i ndalohet marrja e lejes së re të vozitjes në kohëzgjatje prej dy (2) vjet, i cili dënim rrjedh nga data kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë”, thuhet në njoftim.
Sipas Gjykatës, koha e mbajtur në burg nuk llogaritet në kohëzgjatjen e dënimit plotësues.
Kurse, pas skadimit të këtij afati, i akuzuari mund ta marrë lejen e vozitjes sipas kushteve të përgjithshme të parapara për marrjen e lejes përkatëse të vozitjes.
Në njoftim thuhet se Z.R., akuzohet se më 17 mars 2024, në fshatin Skivjan, Komuna e Gjakovës, nga pakujdesia rrezikon sigurinë e trafikut publik dhe me këtë i shkakton vdekjen tani të ndjerit, B.D., derisa natën kritike derisa i pandehuri Z. R. ishte duke drejtuar automjetin “Volvo V50” me të arritur në vendin e lartcekur duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes si dhe kushteve e rrethanave në rrugë dhe pa u siguruar mirë hyn në tejkalim të automjetit “Audi Q5”, të cilën e drejtonte e dëmtuara, E. J., ku në përballëkalim ishte i ndjeri B. D., duke drejtuar automjetin e tipit “VW Golf”.
Aty thuhet se në pamundësi që t’i shmanget aksidentit, me pjesën e parë ballore të automjetit të tij e godet automjetin e të ndjerit në pjesën e parë dhe më pas nga inercioni i goditjes, vetura e të pandehurit përplaset në pjesën e pasme të veturës së të dëmtuarës E. J., me ç’ rast përveç dëmeve materiale të shkaktuara në dy automjete, të nesërmen më 18 mars 2024, në QKUK në Prishtinë, ndërron jetë tani i ndjeri B. D., ndërsa lëndime trupore pëson edhe vetë i pandehuri.
Me këto veprime, Z.R., akuzohej se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.