Një rast shqetësues është regjistruar në Fushë-Kosovë, ku një fëmijë 10-vjeçar është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë që nga pasditja e djeshme.

Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se mëngjesin e sotëm, rreth orës 02:30, në Stacionin Policor të Fushë Kosovës është paraqitur nëna e të miturit Aurel Krasniqi, e cila ka raportuar se djali i saj kishte dalë nga banesa në rrugën “Hajrullah Zymi” më 29 prill 2025, rreth orës 16:30 dhe që nga ajo kohë nuk është kthyer në shtëpi.

Sipas përshkrimit të dhënë nga familjarja, Aureli është i gjatë rreth 1.50 metra, peshon 45 kilogramë, ka sy të zinj dhe flokë kafe, ndërsa në momentin e zhdukjes kishte të veshur një duks ngjyrë gri.

Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, është njoftuar menjëherë prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të iniciohet rasti si “Person i zhdukur”.

Policia ka nisur hetimet dhe është duke punuar për lokalizimin dhe kthimin e të miturit. Familjarët janë në ankth dhe kërkojnë ndihmën e çdo qytetari që mund të ketë parë djalin.

Gazeta Sinjali do të përcjellë nga afër zhvillimet e këtij rasti dhe u bën thirrje të gjithëve që për çdo informacion të kontaktojnë menjëherë Policinë.